Acer tërheq 22.000 laptopë nga tregu
Kompania Acer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka tërhequr 22.000 laptopë nga linja Timeline për shkak të rrezikut nga nxehja, respektivisht djegia.
Acer America ua ka tërhequr vërejtjen blerësve të laptopëve 13.3 inçësh nga linja Aspire Timeline për mundësinë e nxehjes së laptopëvë të tyre dhe eventualisht djegies. Janë goditur rreth 22.000 laptopë, e modelet e përfshira janë AS3810T, AS3810TG, AS3810TZ e AS3810TZG.
Kompjuterët e tërhequr janë prodhuar në Kinë, e në SHBA janë shitur në mes muajve qershor e tetor të vitit të kaluar. Versionet e këtyre laptopëve në Evropë janë tërhequr në muajin tetor, për shkak të problemeve të njëjta.
Acer thekson mundësinë e lidhjes së shkurtër të cilën mund ta shkaktoj kablloja e vendosur nën pushuesin e duarve si pasojë e presionit të vazhdueshëm në atë pjesë të laptopit. Konfirmime për lëndime nuk ka ende, mirëpo disa shfrytëzues tanimë kanë paraqitur deformime të shtëpizave të laptopëve.